Historiku i shkurtër i Klubit të Taekwondo-së SHQIPONJA
Stema e Klubit të Taekwondo-së SHQIPONJA
Klubi i Taekwondo-së SHQIPONJA zhvillon aktivitetin e tij të artit marcial që nga 2 Maji të vitit 2002. Klubi në fjalë u themelua nga Mjeshtri i madh Vaid Reka 7 Dan Kukkiwon (International Master Instruktor)
Prej 24-27 Shtator 2004 u organizua seminari i parë i Taekwondo-së në Kosovë, i cili u mbajt në Palestrën e Klubit të Taekwondo-së SHQIPONJA (në shkollën e mesme "Skënderbeu") në Kaçanik, ku ky seminar u udhëheq nga Mjeshtri Beom Jhoo Lee 9 Dan Kukkiwon (International Grand Master Instruktor, nga Korea Jugore) dhe Mjeshtri Vaid Reka 7 Dan Kukkiwon (International Master Instruktor, nga Belgjika). Në këtë seminar ishte një pjesëmarrje shumë e madhe e dashamirësve të sportit të Taekwondo-së. Pikërisht në këtë seminar të organizuar nga V. Reka dhe B. Jhoo Lee, u çertifikuan trajnerët e parë të Taekwondo-së të Kosovës të cilët u pajisën me diploma ndërkombëtare të lëshuara nga Beom Jhoo Lee (diploma të njohura nga Akademia e Taekwondo-së Botërore KUKKIWON me seli në Seul).
Më 26 Nëntor 2004 është organizuar Seminari i Dytë i Taekwondo-së përsëri nga Mjeshtri Beom Jhoo Lee dhe Vaid Reka në bashkëpunim të ngushtë me Federatën e Taekwondo-së së Kosovës (gjatë asaj kohe kryetar i FTK-së ishte Mahir Hasani). Ky seminar u fokusua kryesisht në aspektin teknik të përgatitjes së trajnerëve dhe garuesëve në Kosovë për të ardhmen.
Prej 14 - 19 Mars të vitit 2005 u organizua seminari i tretë i Taekwondo-së nga Beom Jhoo Lee dhe Vaid Reka që kishte synim ngritjen profesionale të instruktorëve duke vizituar të gjitha Klubet e Kosovës, ku më 18 Mars 2005 u mbajt në Klubin e Taekwondo-së SHQIPONJA në Kaçanik.
Seminari i katërt me radhë u organizua më 2 Qershor 2005 nga Federata e Taekwondo-së së Kosovës (në krye me Mahir Hasanin-kryetar), në bashkëpunim të ngushtë me dy Mjeshtrit e lartëpërmendur, ku ky seminar u zhvillua në palestrën e Klubit të Taekwondo-së SHQIPONJA në Kaçanik. Në fund të këtij seminari u bë edhe dorëzimi solemn i çertifikatave të Instruktorëve të Taekwondo-së së Kosovës të lëshuara nga KUKKIWON.
Seminari i pestë me radhë u zhvillua më 6 Qershor 2010 në Kaçanik dhe një pjesë e vogël në Prishtinë, ku këtë seminar e udhëheqi Vaid Reka, i cili çertifikoi rreth 20 Instruktor të rinj, ku në mesin e tyre ishte edhe Malsor Tafa 2 Dan.
Që nga viti 2010 e deri më tani, ne jemi angazhuar në pjesëmarrje nëpër Kampionate dhe Tournamente veçanërisht në ato ndërkombëtare, ku fatmirësisht kemi reflektuar me shumë suksese duke i sjellë Republikës së Kosovës rezultate shumë të mëdha, por fatkeqësisht përkrahja institucionale akoma vazhdon të jetë shumë e vogël në krahasim me sukseset tona, por edhe kërkesat tona. Përveç problemeve tona financiare, ne jemi duke u ballafaquar edhe me mungesën e një hapësire të përshtatshme për zhvillimin e trajnimeve tona në suaza normale.
Deri më tani, organet kompetente lokale nuk kanë ndërmarrë asnjë hap në lidhje me kërkesat tona për të ofruar për klubin tonë (i vetmi klub i artit marcial në komunë) një ambient-lokalitet të përshtatshëm për trajnime.
Kryesia e Klubit të Taekwondo-së SHQIPONJA
- Kryetar i klubit - Qazim Tafa .
- Nënkryetar i klubit - Alban Bojaj
- Sekretar i klubit - Flamur Dushkaja
- Kryetrainer i klubit - Malsor Tafa (Mjeshtër) 4 Dan Kukkiwon.
- Trajner i klubit - Liridon Tafa (Mjeshtër) 2 Dan Kukkiwon.
Organizata apo Klubi i Taekwondo-së Shqiponja është themeluar me qëllim të;
- Zhvillimit të aktiviteteve sportive, më konkretisht artit luftarak Taekwondo.
- Përhapjen e këtij sporti në komunë dhe më gjerë.
- Përmes këtij aktiviteti të ndihmojmë të rinjt të largohen nga rrugët (që janë burim i vetive negative).
- Të kontribuojmë në edukimin e fëmijëve, pasi si Klub sportiv jemi të obliguar t'i edukojmë sportistët e ardhshëm.
- Të krijojmë hapësirë të përshtatshme për praktikimin e Taekwondo-së.
- Të prezantojmë vlerat sportive të Taekwondo-së nëpër vendet më frekuentuese.
- Të rrisim numrin e praktikuesëve të Taekwondo-së në qytetin e Kaçanikut.
- Të punojmë intensivisht në popullaritetin dhe masivitetin e Taekwondo-së.
Për më shumë rreth aktiviteteve të zhvilluara të Klubit të Taekwondo-së Shqiponja vendore dhe ndërkombëtare, shikoni tek rubrika *LAJME*