ÇKA ËSHTË TAEKWONDO
Taekwondo është art luftarak modern, i karakterizuar me shpejtësinë e tij, me shqelmimin tjerrës dhe të lartë. janë disa lloje të interpretimit të domethënies së emrit Taekwondo. Taekwondo shpesh përkthehet si "mënyra e dorës dhe e shputës". Definicioni më i mirë për emrin Taekwondo është si vijon.
Tae - "të sulmosh ose të bllokosh me shputë", gjithashtu do të thotë "kërcim".
Kwon - "grusht", "të sulmosh ose të bllokosh me dorë".
Do - " mënyra e" ose "arti" apo më konkretisht "mënyra e praktikimit të këtij arti". Kur i vendosim këta së bashku dhe Taekwondo d.m.th " arti i shqelmimit dhe grushtimit" apo "arti i luftimit të paarmatosur".
Ky sport gjenezën (prejardhjen) e ka nga Koreja Jugore dhe është një ndër artet luftarake moderne të popullarizuara. Definicioni tjetër për Taekwondo kishte me qenë:
"Taekwondo është art luftarak i kthyer në një sport modern ndërkombëtar që u zhvillua në Korenë e largët për më shumë se XX shekuj". Duke u bazuar në vet emrin e këtij arti, vetvetiu kuptohet se Taekwondo është sport luftarak ku përdoren duart dhe këmbët për të mposhtur kundërshtarin. Praktikuesit e Taekwondo-së kanë vetëbesim jo vetëm në aftësitë e tyre fizike, por edhe në atë psiqike, për arsye se zhvillojnë stërvitje superiore në mënyrë që trupin ta bëjnë armë me të cilën do të jenë të aftë t'i kundërvihen armikut duke i përdorur këmbët, duart dhe pjesët tjera të trupit. Taekwondo nuk është vetëm art superior i vetëmbrojtjes, por, edhe burim i shëndetit trupor, pra shëron shumë sëmundje. Taekwondo po ashtu është sport konstant në formë dhe qëllim. U formua nga persona që nuk përdornin dhunën dhe që donin ta zhduknin dhunën, për këtë arsye vet arti ose "Kodi i Taekwondo-së" ndalon dhunën, sulmet ose përdorimin e forcës pa nevojë, e sidomos ndaj njerëzve të dobët. Gjithashtu "Kodi i Taekwondo-së" përmban edhe disa urdhëra ku përmbajtja e tyre është e domosdoshme si; besnikëria ndaj atdheut, ndaj prindërve, ndaj bashkëshortit / bashkëshortes, vëllezërve dhe motrave, ndaj shokëve, të moshuarëve, shkollës, etj. Taekwondo përbëhet nga stërvitje themelore me komponentet e saj që janë Poomset (format apo lufta e imagjinuar), Teoria, dhe Sparringu (lufta apo mësimi). Taekwondo është bërë sport Olimpik në vitin 2000.
Arti Taekwondo për herë të parë mori pjesë në Lojrat Olimpike që u organizuan në Sidnei të Australisë në vitin 2000. Gjithashtu edhe herave tjera ishte pjesëmarrëse në organizimin e Lojrave Olimpike. Në vitin 2004 Lojrat Olimpike u organizuan në Greqi në kryeqytetin e saj Athinë. Në vitin 2008 Lojrat Olimpike u organizuan në Kinë në kryeqyetin e saj Pekin. Lojrat Olimpike të ardhshme do të zhvillohen në Britani të Madhe në kryeqytetin e saj Londër në vitin 2012, e që vendi ynë Kosova pretendon që të jetë për herë të parë në historinë e saj sportive pjesë e Lojrave Olimpike, që do të paraqitet si shteti më i ri në Botë.
DICIPLINAT E TAEKWONDO-së
Taekwondo ka katër diciplina të cilat janë të shpjeguara në faqe të ndryshme/kapituj të kësaj faqe. Katër diciplinat janë:
- Modelet (Poomset)
- Sparringu (lufta, mësimi)
- Vetëmbrojtja
- Testi i thyerjes
QËLLIMET E TAEKWONDO-së
Taekwondo ka pesë qëllime kryesore të cilat e bëjnë artin më të sofistikuar ndër diciplinat tjera të njohura.
- Të krijosh vlerësimin për Taekwondo sikurse një sport dhe sikurse një art.
- Të arrish fitnes fizik nëpërmjet pjesëmarrjes pozitive.
- Të përmirësosh diciplinën mentale dhe gjakftohësinë emocionale.
- Të mësosh aftësitë e vetëmbrojtjes.
- Të krijosh ndjenjë përgjegjësie për vetveten dhe për të tjerët.
TAEKWONDO PËR FËMIJË
Taekwondo nuk ka kufizim të moshës dhe është sport shumë i mirë për fëmijët. Ata mësojnë reaksione të shpejta nëpërmjet lojës, mësojnë të respektojnë të tjerët dhe mësojnë të dijnë mundësitë dhe pamundësitë e tyre. Rregullat e ndeshjes janë pak sa të ndryshme për fëmijët se sa që janë për të rriturit. Megjithëse fëmijët veshin mbrojtësen e tërë të trupit (e preferueshme më e trashë se sa e atyre të rriturve), dhe vetëm shqelmimet nëpër trup janë të lejuara, pa shqelmime në kokë. Me posedimin e mbrojtëseve tek fëmijët në një shkallë të madhe parandalohet rreziku.
A ËSHTË TAEKWONDO E RREZIKSHME
Megjithëse WTF (World Taekwondo Federation - Federata e Taekwondo-së Botërore) thotë se Taekwondo është sport i kontaktit ku është e lejuar shqelmimi në kokë (hedhjet e grushtimeve në kokë nuk janë të lejuara) nuk është shumë e rrezikshme të ushtrosh Taekwondo. Gjatë ushtrimeve, nuk është e nevojshme të fitosh. Gjatë garës, përdoret mbrojtja maksimale për të mbrojtur garuesit.
T'iu shmangemi lëndimeve të kokës, garuesi nuk është i lejuar të merrë pjesë në garë për tre (3) muaj (kjo duket shumë e ndryshueshme), nëse ndonjëri ka qenë i rrëzuar përtokë nga shqelmimi në kokë. Nëse incidenti i njëjtë ndodh përsëri pas këtyre tre (3) muajve, nuk jeni i lejuar të merrni pjesë për gjysëm viti (6 muaj). Nëse prapë ndodh edhe një rrëzim përtokë nga shqelmimi në kokë pas kësaj periudhe gjysëm-vjeçare, rezultati është përjashtim i përhershëm i garës për garuesin.
ITF (International Taekwondo Federation - Federata Ndërkombëtare e Taekwondo-së) i ashtuquajturi semi-kontakt. Nuk lejohet të sulmosh kokën me tërë forcën. Sidoqoftë është e lejuar të lëshosh shqelmimet në kokë, duke përdorur të ashtuquajturën "Goditje e mbytjes", ndalo vetëm pesë (5) cm para objektit. Të shmangesh nga lëndimet. ITF përdorin dorëza në garën e sparringut.
POOMSET (Format)
Poomsae (Format) janë pjesë përbërëse të Taekwondo-së dhe janë forma të lëvizjes që formohen nga teknika të ndryshme si; sulme dhe kundër-sulme, shqelmime, grushtime, blloqe, kërcime etj. Poomsae në fillim shërbenin vetëm për perfeksionimin e teknikave (përsëritjen e tyre) duke iu shmangur dëmtimeve të ndryshme në këtë kategori. Poomset paraqiten në formë të një lufte imagjinare, e që ndahen në Taeguk-Poomsae dhe Poomsae Mjeshtërore. Për të arritur deri në brezin e zi duhet të mësohen tetë (8) Poomse Taeguk. Gjatë praktikimit të një Poomse, ushtruesi i Taekwondo-së përdor teknikat e tij/saj për t'i zmbrapsur kundërshtarët e imagjinuar duke sulmuar nga drejtime të shumta. Secila Poomse e WTF-së dhe të gjitha Format e brezit të zi (prej Koryo -9 deri te Ilio -17) fillojnë me teknika mbrojtëse të bllokimit që ndiqen me kundërsulme. Secila Poomse (luftë e imagjinuar) duhet të ushtrohet (praktikohet) shumë herë që të mund të bëhet pa menduar (atë se cila është lëvizja e radhës, cili drejtim apo cili pozicion). Vetëm pasi që të ushtrohet Poomse (lufta e imagjinuar), me qindra herë, studentët fillojnë ta kuptojnë domethënien e saj. Poomsae përveç elementeve të lartëpërmendura përbëhen edhe nga qëndrimet SOGI.
Gjithashtu organizohen edhe Kampionate dhe Tournamente të niveleve të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare në diciplinën *Poomsae* ku ndahen në kategori të ndryshme. Tek ne në Republikën e Kosovës, garues të cilët dëshirojnë të praktikojnë dhe përvetësojnë veten në këtë diciplinë janë një numër tepër i vogël në krahasim me ato të cilët praktikojnë diciplinën *Sparring*.